Një udhëtim që nis nga zemra


Në këtë fundvit, me zemrën plot mirënjohje dhe emocion, kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm që më mbush me krenari. Fotografia, e cila u përqafua me kaq dashuri nga shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve, tashmë nis një udhëtim të ri — një udhëtim përtej hapësirave, si një misionare e vogël e trashëgimisë sonë kulturore, përmes emisionit të pullës postare shqiptare.

Ky vlerësim më bën të ndihem thellësisht e gëzuar dhe e nderuar. Falënderimi im shkon me zemër për jurinë përzgjedhëse dhe për çdo dorë, mendje e zemër që u bë pjesë e kësaj rruge. Sepse kjo nuk është një arritje individuale, por një punë e ndërtuar me bashkëpunim dhe dashuri të sinqertë.

Një falënderim i veçantë shkon për Franka Kukeli, vajzën e hijshme dhe të zgjuar të mikeshës sime Eneida Xhelili — ajo që i dha shpirt, finesë dhe hijeshi xhubletës sonë. Mirënjohje nga zemra për zonjën Edlira Sulaj, e cila vuri në dispozicion xhubletën autentike origjinale, me të gjithë aksesorët e saj, gjatë shërbimit fotografik.

Falënderoj Kevin Veipin, artistin e ri dizajner që i dha formë emisionit me katër pullat postare, vulën dhe zarfin e ditës së parë, si edhe Anxhelika Kolevicën, flamurtaren time të preferuar, e cila me përkushtim ndihmoi në valëvitjen e flamurit.

Gjatë vitit të ri 2026, çdo letër apo kartolinë që do të niset prej jush do të mbajë mbi vete këto pulla postare — tashmë pjesë e historisë së filatelisë shqiptare. Mendimi që kjo punë e bukur do të udhëtojë nëpër botë si përfaqësuese e kombit tonë, më mbush me emocion dhe krenari të thellë.

Gëzuar dhe faleminderit nga zemra! ✨

SOELA ZANI  30/12/2025

Babai - Biri - Mëmëdheu  


"Në këtë vend ku rrita unë,
ku dielli m’ngroh e hëna më flet,
ku era çon fjalët n’dritë të agut,
dembabadem më sjell përjet.
Në këtë udhë që shkel sot prapë,
i njoh gurët, i njoh çdo shteg,
se zemra mbetet tek ky vend,
dembabadem më thërret me heq.
Këtu kam qeshur, këtu kam qare,
këtu kam prit ditët me shpresë,
e zemra ime s’ka tjetër shtëpi,
veç këtij vendi që s’më la kurrë vetë.
Dembabadem ta ndjej këngën,
që e këndonte nëna ime lehtë,
o vend i dashur, unë jam këtu,
siç isha dikur, siç jam tani vetë"

SOELA ZANI  27/11/2025

MAKE IT ICONIC


Nisi si një punë dokumentuese dhe përfundoi me një ekspozitë. Jam shumë falenderuese për mundësinë dhe vlerësimin e Ambasadës së Francës ndaj punës time. E gjithë kjo eksperiencë më mësoi shumë mbi natyrën e bukur të vendit tonë. Mbi të gjitha kam zbuluar skenografi të reja natyrore dhe pashë me sytë e mi përkushtimin e njerëzve për mbrojtjen e mjedisit. Detyra e të gjithëve ne është të ruajmë nga ndotja atë që është e përbashkëta jonë, shtëpinë tonë të bukur, Shqipëri. Faleminderit 🙏 .

SOELA ZANI  25/09/2025

vajza me Xhublete dhe flamur


Për mjeshtërinë e valëvitjes se flamurit falenderoj @anxhelikakolevica që më kuptoi sa thashë fjalinë e parë. Pushimet filluan dhe festa e Pavarësisë dhe Çlirimit, po ashtu. Gëzuar këto festa kaq të bukura të cilat na tregojnë se përveçse ta duam vendin tonë, duhet të përpiqemi ta bëjmë atë më të begatë. Personalisht kudo qe kam shkuar, nuk jam ndjerë më mirë se në Shqipërinē time. GEZUAR SHQIPE. Shihemi ne Berlin se shpejti ???? ????????

Koment i mëvonshëm: -Nuk e kisha menduar që kjo foto do të bëhej aq shume e dashur për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës. Ju falenderoj nga zemra dhe ju jam shumë mirënjohëse për vlerësimin. Njihem si menaxhere e keqe e punës time ndaj foton e kam publikuar fillimisht pa logo. Keshtu që ju lutem, nëse edhe ju e keni tashmë atë të publikuar në rrjetet tuaja sociale, vendosni autorësinë .


SOELA ZANI  23/11/2023

Edhe une jam nje veper arti

6 FLAVIO - Fyellxhiu - Edouart Manet

"Edhe une jam nje vepër arti"

U bënë shumë vite që punoj në fushën e fotografisë dhe kishte ardhur pikërisht

momenti për tu shfaqur me një projekt të mirëfilltë artistik personal. Ishin

pjekur të gjitha kushtet. Fati më kishte njohur dhe me Emanuela Zaimin, themeluesen e Fondacionit Down Syndrome Albania, e cila e bëri të mundur realizimin e këtij projekti. Nuk mjafton vetëm t’i kesh idetë e qarta, por edhe t’i realizosh ato. Ndërkohë që nëse nuk e ke idenë, nuk mund të realizosh asnjë gjë.

Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, dega Skenografi Kostumografi Teatri nen drejtimin e profesorit tim Agim Zajmi. Sigurisht që shkollimi është një bazë e mirë mbi të cilën mund të ngrihen projekte artistike në

të ardhmen.

Eksperienca nga puna e përditshme në studio me fëmijët, më ka bërë t’i njoh nga afër ata, të parashikoj lëvizjet dhe sjelljet e tyre përpara se ata t’i kryejnë.

Kisha shumë dëshirë t’i ndërthurja këto të dyja, pra gjithë atë cfarë unë dija nga koha e studimeve të mia dhe fëmijët të cilët janë baza e punës time të përditshme. U kisha një borxh të madh artistëve botërorë mbi veprat e të cilëve jam bazuar pasi unë kam mësuar shumë dhe duke kopjuar punët e

tyre. Ndaj kishte ardhur koha t’jua ktheja këtë me gjithë mirënjohjen time. Por duhet të ishte një projekt i veçantë…

Kur unë jam njohur për herë të parë me një person me sindromën Down, ka qenë viti 1987 – 1988. Ai kishte komunikim të pakët dhe ishte shumë i acaruar, si pasojë e izolimit të tij prej familjarëve, shoqërisë por dhe mos përftimit të asnjë lloj terapie aftësimi për sjelljen dhe komunikimin. Në atë kohë këto gjëra ishin tabu. Madje më kujtohet se si edhe vetë familjarët e tij ndiheshin të turpëruar

prej prezencës së tij. Po ashtu edhe shoqëria i bënte fajtorë dhe i tregonte me gisht prindërit e tij.

Pas disa kohësh, kur nisa të interesohesha për fotografinë, rastisa në

disa autorë të cilët i shfaqnin këta persona me shumë dramacitet, shumë bardhë e zi ... deri diku te bënin që të të vinte keq. E ndikuar thellë nga ky lloj emocioni, para disa vitesh u nisa drejt një qendre shtetërore ditore për persona me aftësi të kufizuara apo më bukur thënë, me nevoja të veçanta. Dera e atij institucioni nuk mu hap pasi nuk kisha lejen e posaçme. Sot mendoj se kanë bërë shumë mirë që nuk më kanë lejuar, pasi në atë kohë do të shprehesha ndryshe me objektivin tim, ndoshta dhe unë do të sillja dramë me shkrepjet e mia. Unë nuk i njihja ata, kështu që do të bëja një ri-interpretim të gjithë asaj çfare unë perceptoja për ta.

Njohja me Emanuelën dhe djalin e saj, Arbin, bëri që unë t’i shihja ndryshe gjërat por dhe individët me nevoja të veçanta. Ema më tregoi se një person me sindromën Down është i komunikueshem,

ka dëshira, ndjenja dhe pasione njësoj si ne. Këte e vërtetova pasi punova me disa prej fëmijëve me sindromën Down të Fondacionit Down Syndrome Albania, përfshirë Arbin, për të realizuar kartolinat e fundvitit 2013 të këtij fondacioni që shiten për mbledhje fondesh.

Të punosh me fëmijët me sindromën Down, është po njësoj si të punosh me fëmijët pa këtë sindromë. Të dyja palët janë njësoj të paparashikueshëm, dhe njëkohësisht njësoj të manipulueshëm. Vendosja e këtyre 14 individëve me sindromën Down nën objektivin e aparatit tim, nëpërmjet këtij projekti, bëri të realizoj ekspozitën time të parë dhe sigursht që ka një rëndësi të veçantë. Shkurt, dua t’ju them se këta persona janë shumë të bukur. Shihini ata siç shihni veprat e artit. Në këtë ekspozitë, ata kanë zëvendësuar personazhet më të njohura të historisë së artit, shqiptar dhe botëror, denjësisht. Me anë të kësaj ekspozite, unë e thashë fjalën time ... tani është rradha juaj …

P.s.: Dua të falenderoj me gjithë zemër mikeshën që besoi në këtë projekt dhe që punoi me aq dashuri sa unë, kostumografen e talentuar Lilo Shehun, pa të cilën kjo ekspozitë nuk mund të kishte pamjen që ka.


SOELA ZANI  06/11/2015


6 FLAVIO - Fyellxhiu - Edouart Manet

                         

7 BELKISA - Clara Serena Rubens - Peter Paul Rubens
8 ELJANA - Femije me pellumb - Pablo Picasso
6 FLAVIO - Fyellxhiu - Edouart Manet
5 EMILJANO - Djali me lepur - Henry Raeburn
4 VANESA - Master John Heathcote - THOMAS GAINSBOROUGH
2 LELA - VAJZA E VOGEL DUKE U LUTUR - JOSHUA REYNOLDS